Secondary Adv

BE: Ekonomia shqiptare rritje të moderuar në 2025-2027, ngadalësohet turizmi

Komisioni Evropian parashikon rritje të qëndrueshme, ngadalësim të turizmit dhe sfida të vazhdueshme në eksport.

Ekonomia shqiptare pritet të vazhdojë të rritet në mënyrë të qëndrueshme, por me ritme më të moderuara krahasuar me vitet e fundit. Sipas parashikimeve të Komisionit Evropian për periudhën 2025–2027, rritja reale e PBB-së do të qëndrojë rreth 3.6 për qind në vitin 2025 dhe 3.5 për qind në vitet 2026 dhe 2027, e mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme, konsumi i fortë privat dhe investimet në sektorët e ndërtimit dhe turizmit.

 

Ngadalësimi i turizmit pas një periudhe boom

Pas disa viteve me rritje të jashtëzakonshme, turizmi pritet të hyjë në një fazë më të pjekur, me ngadalësim të ritmit të mbërritjeve të huaja dhe të ardhurave. Edhe pse sektori do të mbetet një prej kontribuuesve kryesorë të ekonomisë, “hovi” i viteve të fundit nuk pritet të përsëritet në të njëjtën masë.

 

Investime të forta dhe kërkesë e gjallë e brendshme

Investimet pritet të mbeten të larta, të mbështetura nga kushtet e mira të financimit, zgjerimi i vazhdueshëm i kredisë dhe besimi i lartë i biznesit. Fondet e BE-së do të vijojnë të kontribuojnë në projektet infrastrukturore dhe zhvillimore.

 

Deficiti i llogarisë korrente zgjerohet lehtë

Megjithëse bilanci i jashtëm është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit, deficiti i llogarisë korrente pritet të zgjerohet pak nën 3 për qind të PBB-së. Kjo vjen kryesisht si pasojë e thellimit të deficitit tregtar të mallrave, pasi eksportet vazhdojnë të mos arrijnë të kompensojnë importet, mbetur kështu një ndër pikat e dobëta të ekonomisë.

 

Inflacion i qëndrueshëm dhe ulje e borxhit publik

Inflacioni pritet të stabilizohet rreth 2.5 për qind gjatë vitit 2025, në linjë me një mjedis makroekonomik të qëndrueshëm. Paralelisht, borxhi publik pritet të vijojë rënien, duke zbritur në rreth 59 për qind të PBB-së në 2025, pas reduktimit të ndjeshëm nga niveli prej 77.6 për qind të vitit 2020.

 

Rritje punësimi dhe sfida nga emigracioni

Punësimi u rrit në vitin 2025 dhe pritet të rritet më tej gjatë 2026–2027, megjithëse me ritme më të moderuara. Rritja e pjesëmarrjes në tregun e punës, e nxitur nga paga më të larta, do të mbështesë ofertën e punës, por emigrimi i vazhdueshëm mbetet një pengesë për kapacitetet e tregut vendas.

 

Ekonomia në fazë konsolidimi

Parashikimet e BE-së tregojnë se ekonomia shqiptare po hyn në një fazë konsolidimi, me rritje të qëndrueshme dhe stabilitet fiskal të dukshëm. Megjithatë, dobësitë strukturore në eksport dhe bilancin tregtar kërkojnë vëmendje të shtuar për të garantuar një rritje më të balancuar në vitet në vijim.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat